Mirë se erdhët në faqen time

Të shkruash është proces mendor po aq sa dhe të flasësh, nëse jo edhe më kompleks. Letërsia është së pari dialog me vetveten pastaj komunikim me të tjerët. Ajo është një botë ndryshe, e veçantë, e jashtëzakonshme: Është bota ime në të cilën jam i plotësuar. I motivuar nga humanizimi aty ndjehem vetvetja.

Ka vite që jam duke jetuar larg vendlindjes dhe duke u përpjekur për t’u bërë pjesë e një letërsie në një gjuhë të madhe, jo-amtare, të hapur, globale dhe universale për nga temat dhe qasja. Austria është bërë për mua një nocion jo vetëm gjeografik por edhe gjuhësor.

Edhe pse shkruaj me kënaqësi edhe tregime të shkurtra megjithatë poezia mbetet pasioni im. Në të përpiqem që të ofroj shumë filozofi në pak rreshta edhe pse ajo shpesh më ngjan në një labirint nga i cili nuk dilet dhe aq lehtë. Aty shpërfaqë artin tim me fjalë. Me to i veshë mendimet e mia. Nga ana tjetër lexoj me ëndje edhe autorët e tjerë. Më pëlqejnë stilet inovative dhe avangarde e sidomos vargjet që kanë thellësi dhe elegancë.

Këtu në këtë faqe ndodh arti. Shijojeni!